Me rastin e 70 -vjetorit të Çlirimit të vendit Drejtoria Arsimore Rajonale qarku Tiranë, së bashku me Zyrën Arsimore Kavajë dhe Zyrën Arsimore Kamëz, organizoi koncertin festiv me temë “Imazhi i lirisë”.
Aktiviteti u zhvillua në sallën “Liria” në Qytetin Studenti ku morën pjesë Ministria e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla si dhe personalitete të politikës, qeverisjes vendore, drejtorë shkollash, mësues, prindër e nxënës.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte e pranishme pasditen e sotme në aktivitetin festiv, organizuar nga Drejtoria Rajonale Tirana Qark, në kuadër të 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së saj përshëndetëse Ministrja ndër të tjera shprehu vendosmërinë e qeverisë për të bërë të mundur që historia të shkruhet vetëm nga historianët dhe i ftoi të gjithë këta për ta shkruar atë objektivisht, pa ndërhyrjen e politikës.
“Historia ka ndodhur vetëm një herë dhe ajo nuk mund të rishkruhet në varësi të ndryshimit të pushteteve. Ftesa për historianët është e hapur, për ta shkruar objektivisht, bazuar në fakte historinë e Shqipërisë. Historinë që do edukojë brezat e rinj jo vetëm me krenarinë e fakteve, por ajo që është më e rëndësishmja, t’i edukojë larg gjuhës së urrejtjes për vendet e tjera”, tha Lindita Nikolla.
Ministrja shtoi se 29 Nëntori i vitit 1944 ishte një ditë që falë gjakut dhe mundit të djemve e vajzave shqiptarë, e vendosi Shqipërinë në hartën e fitimtarëve dhe nuk ka më bukur se kjo festë të vijë përmes performancave të djemve e vajzave të talentuar.
Në aktivitet debutuan rreth 140 nxënës të shkollave të ndryshme të qarkut të Tiranës dhe Zyrave Arsimore Kavajë e Kamëz. Gjithashtu ishin të ftuar për të interpretuar edhe Orketra Simfo-xhaz e Liceut të Durrësit “Jan Kukuzeli”.
Në program pati këngë të muzikës së lehtë e patriotike shqiptare dhe valle nga krahina të ndryshme të Shqipërisë si dhe recitime në poezi dhe prozë me temë lirinë.
Gjatë ceremonisë mbajtën fjalën e rastit znj. Lindita Nikolli dhe drejtoresha e DAR qarku Tiranë znj. Eglantina Metani, të cilat shpërndanë dhe certifikatat për fituesit e konkursit të zhvilluar në rang qarku për esenë, poezinë dhe pikturën më të mirë.